Tuesday, November 3, 2015

Skënderbeu kërkon pikën e parë europiane


Të enjten në “Elbasan Arena”, Skënderbeu luan sfidën e kthimit me Sportingun e Lisbonës, për të realizuar objektivin e këtij edicioni në Europa League: të marrë pikën e parë në fazën e grupeve të një aktiviteti ndërkombëtar. Korçarët kërkojnë rezultatin e parë pozitiv në këtë edicion, si mënyrë reagimi për humbjen më të thellë në Kupat e Europës, rezultati 5-1 në sfidën e luajtur përpara dy javëve në stadiumin Jose Alvalade.

Megjithë kualitetin e padiskutuar të skuadrës nga Lisbona dhe grupit shumë cilësor që trajneri Zhorzh Zhezus ka në dispozicion, kampionët e Shqipërisë do të bëjnë maksimumin, edhe si mënyrë për të reaguar ndaj aludimeve per rezultatet e tyre. Hamdi Salihi, i ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen në kryeqytetin portugez, do të jetë mungesa më e madhe e Skënderbeut për sfidën e së enjtes.

Por, pas golit të parë në fazën e grupeve të Europa League, që mban firmën e mbrojtësit Jashanica, bardhekuqtë kërkojnë rezultat pozitiv edhe për një tjetër arsye. UEFA evidenton se nëse humbet edhe në ndeshjen e katërt në Grupin H, Skënderbeu do të ishte automatikisht i eliminuar. Kjo do të bënte që dy ndeshjet e fundit të korçarëve të jenë thjesht për prestigj.

Në anën tjetër, Sportingu kërkon fitoren e radhës. Sipas llogarive, nëse Lokomotiva e Moskës triumfon në fushën e Beşiktaş dhe Sportingu nuk merr maksimumin e pikëve, atëherë rusët janë të parët që kualifikohen./supersport/