Ecuria më e dobët në histori e Juventusit prej hyrjes në fuqi të formulës aktuale të kampionatit, me vetëm 12 pikë në 10 ndeshjet e para ka tronditur pozitat e Massimiliano Allegrit. Edhe pse për momentin klubi bardhezi nuk ka dhënë sinjale se trajneri do të largohet, janë hedhur hipotezat e para rreth asaj që mund të ndodhë në krye të stolit. Skenarë të mundshëm për një ndryshim në drejtimin e stafit teknik, nëse situata do të vazhdojë të përkeqësohet dhe rezultatet e ekipit do të mbeten zhgënjyese.
Te “Zonja e Vjetër” nuk dëshirojnë të gjenden të papërgatitur në rast se largimi i Allegrit do të ishte i paevitueshëm. Ashtu siç ndodhi edhe në fillim të këtij sezoni, sapo u shfaqën problemet e para rreth skuadrës, në korridore ka nisur të qarkullojë sërish emri i Marcello Lippi-t. Ish-trajneri kampion bote vazhdon të cilësohet si njeriu ideal për punën. Ai e njeh shumë mirë ambientin, ka eksperiencë dhe marrëdhënie të shkëlqyera me Andrea Agnelli-n e Pavel Nedved.
Për Lippin u diskutua në fund të Shtatorit, si një alternativë e përkohëshme. Një trajner që do ta udhëhiqte skuadrën deri në fund të sezonit, për të qëndruar më pas në klub në një rol drejtuesi. Tjetër kandidat potencial për stolin është një tjetër ish-trajner i madh i bardhezinjve, Fabio Capello. Alternativë e pranueshme do të ishte edhe Luciano Spalletti, i cili ka mbyllur bashkëpunimin me Zenitin dhe ka punuar me Marotta-n në vitin 2000 te Venezia.
Kandidati i fundit është Walter Mazzarri, një tjetër trajner luksi, i cili ka mbetur i papunë, por që i njeh drejtuesit e Juventusit prej bashkëpunimit te Sampdoria në të kaluarën./supersport/