Friday, October 30, 2015

Dzeko: Interit do t’i hiqja Jovetic


Edin Dzeko u konsiderua një nga goditjet me të rëndësishme në merkaton e Serisë A e për rrjedhojë u prit si hero nga tifozët e Romës, të cilët besuan se me sulmuesin boshnjak, mund të rrezonin nga froni Juventusin. Dhe në fakt, falë golit të 29-vjecarit të lindur në Sarajevë, verdhekuqtë arritën t’i mposhtnin 2-1 kampionët në fuqi të Serisë A në stadiumin Olimpiko. Nga ajo përballje Dzeko nuk ka mundur ta gjejë më rrugën e rrjetës, edhe pse është aktivizuar në 8 takime të kampionatit. Në prag të ndeshjes më të rëndësishme të javës së 11-të të Serisë A me Interin në “San Siro”, ish-sulmuesi i Wolfsburgut dhe i Manchester Cityt, paralajmëron zikaltrit.

“Nuk po shënoj në Serinë A? Do të bëj edhe këtu, por nuk mund ta kem obsesion golin. E rëndësishme është të fitojë Roma. Unë as që e mendoj humbjen, por mund të them se kjo ndeshje nuk do të jetë vendimtare për objektivin final, që është titulli kampion.”

Ky sezon i Serisë A, mbetet i paparashikueshëm, madje sipas Dzekos, Juventusi nuk përjashtohet nga gara për vendin e parë.

“Këtë vit nuk ka skuadra favorite. Jemi ne, Interi, Napoli dhe Fiorentina, pa harruar edhe Juventusit. Jam i bindur se bardhezinjtë do të ringrihen.”

Gonzalo Higuain dhe Miralen Pjanic janë për Dzekon dy futbollistët më të mirë të Serisë A, ndërsa tek Interi vlerëson në vecanti malazezin Jovetic.

Nëse do të kisha mundësi t’i hiqja një lojtar Interit në sfidën me Romën, ai do të ishte Jovetic. Ai është një fenomen. I  uroj gjithë të mirat dhe të shënojë sa më shumë gola, sigurisht pas ndeshjes së radhës.” /supersport/