Friday, October 30, 2015

Java e 9, të gjithë në ndjekje të Partizanit


Për sa kohë do të rezistojë Partizani në krye të Superiores? Kjo është pyeja që shtrohet pas fitores së të kuqve në sfidën direkte me Skënderbeun. Në javën e 9-të të superiores kampionët në fuqi do të presin në Korcë Flamurtarin, ndërsa të kuqtë do të nisin një seri prej tri transfertash, e para me Teutën në “Niko Dovava”.

Në Korcë këtë të shtunë presin një fitore të thjeshtë të vendasve si shenjë reagimi për disfatën me Partizanin, madje në letër duke u bazuar edhe te rezultatet e fundit dhe gjendja që po kalojnë vlonjatët, suksesi i Skënderbeut konsiderohet formalitet. Në kampin korcar do të ketë disa mungesa të rëndësishmë, me Vangjelin dhe Arapin të pezulluar për arsye kartonësh, ndërsa Hristov, Eskuerdinja dhe Arbër Abilaliaj, janë të dëmtuar. Megjithatë këto mungesë nuk mund të jenë justifikim për të skuadër që luan në fazën e grupeve të Europa League.

Këtë të shtunë luhen edhe dy takime të tjera të superiores, Bylis – Vllaznia dhe Tërbuni – Laci, me protagoniste skuadrat që kanë si objektiv mbijetesën. Në Ballsh Vllaznia do të ishte e kënaqur edhe më një pikë, për të mbajtur pas në renditje një rival direkt dhe për të ruajtur vazhdimësinë e rezultateve pozitive pas dy barazimeve dhe një fitoreje në tre takimet e fundit.

Ndërkohë më sfidën tjetër Tërbuni do të kërkojë ndaj Lacit pikët e para në Pukë, për të të ndezur një fije shpresë për mbijetesën, objektiv që sa vjen e bëhet edhe më i vështirë për t’u arritur me kalimin e javëve. Për kurbinasit një transfertë e tillë ndaj një kundërshtari pa eksperiencë në superiore konsiderohet një mundësi e mirë për të forcuar pozitat në renditje, duke përfituar edhe nga përplasja direkte mes Tiranës dhe Kukësit, që do të luhet të dielën në “Qemal Stafa”.

Eksperienca bardheblu e trajnerit Ilir Daja nis me një sfidë delikate, që nëse fitohet, mund të krijojë terrenin e përshtatshëm për t’iu kthyer objektivave madhorë, sic është titulli kampion. Nuk do të ishte i kënaqur me një barazim as Kukësi, që vazhdon të besojë se mund të rivalizojë me Skënderbeun dhe Partizanin për kreun. Statistikat tregojnë se kuksianët janë në avantazh në përplasjet direkte, por është fakt që gjatë sezonit të fundit me Maganin në stol, bardheblutë kanë marrë maksimumin në sfidat e shtëpisë. Barazimi nbetet opsioni i fundit që mund të mendohet për këtë përballje.

Teuta – Partizani, që gjithashtu do të luhet të dielën, do të ulë siparin e javës së 9-të të superiores. Një 90 minutësh mjaft sugjestionues, pasi përplasen dy ekipe që do të ishin të zhgënjyera me një pikë. Teuta ka befasuar në këtë fillim sezoni me lojërat e saj, duke i fituar të gjitha takimet në “Niko Dovana”, përvec përplasjes me kurbinasit që në kalendar ishte programuar për t’u zhvilluar në Lac. Nga ana tjetër Partizani është skuadra e vetme që ka grumbulluar maksimumin e pikëve në transfertë. Trajneri i “Djemve të Detit” Gugash Magani, ka shumë arsye për ta ndalur Partizanin, më shumë për faktin se janë të kuqtë shkaktarët kryesorë që ai u largua nga Tirana./supersport/