Tuesday, November 3, 2015

“Selman Stermasi” drejt fundit, përurohet në Nëntor


Tirana do të ketë së shpejti shtëpinë e saj të re me të gjitha komoditetet për një skuadër që kërkon të jetë në nivelet më të larta të futbollit në Shqipëri. Punimet për rikonstruksionin e “Selman Starërmasit” janë në fazën përfundimtare edhe pse do të duhen edhe disa javë që ekipi bardheblu t’i zhvillojë në impiantin e tij ndeshjet brenda.

Tapeti i ri është në kushtet optimale, ndërsa në tribunat ku do të akomodohen tifozët kanë mbetur për t’u kryer disa punime të vogla që kanë të bëjnë me sigurinë.
Është parashikuar që përreth fushës dhe në tribuna punimet të mbyllen brenda 10 ditësh, ndërsa ende nuk ka një datë të saktë për instalimin e impiantin të ndricimit, ku pjesë e investimit është edhe Fearata Shqiptare e Futbollit.

Vonesat në këtë aspekt kanë ardhur edhe për shkak të problemeve me kabinën elektrike, ndërtimi i së cilës duhet të ishte bërë nga institucionet përkatëse.

Ndaj Tërbunit, në javën e parë të fazës së dytë, Tirana do të luajë në “Qemal Stafa”, por ndaj Lacit, pas ndërprerjes së kampionatit për shkak të ndeshjeve të fazës play Off të Europianit, shpresohet që të luhet në “Selman Stermasi”.

Nëse për arsye objektive edhe ky afat nuk do të arrihet, ndaj Skënderbeut në javën e 12 të Superiores impianti i rikonstruktuar do të jetë medoemos gati.

Ideja e drejtuesve bardheblu është që ndeshja e parë në shtëpinë e re të luhet në mbrëmje, por nëse ka vonesa të paparashikuara në instalimin e impiantit të ndricimit, nuk do të ketë shtyrje të përurimit të stadiumit.

Presidenti Refik Halili është i angazhuar maksimalisht për t’i krijuar kushtet perfekte skuadrës në një moment pozitiv të bardhebluve pas fitores me Kukësin. Në pritje të riaftësimit të disa elementëve kryesore të organikës, fansat së shpejti do të akomodohen në kushte shumë më të mira në një stadiumin që do të sigurojë më shumë të ardhura për klubin./supersport/