Thursday, October 29, 2015

Rashica, Manaj, Ajeti dhe Tarashaj, talentet e miqësoreve të Nëntorit

“Të rinjtë që do të vijnë mund të jenë pjesë e miqësoreve të Nëntorit dhe atyre të Marsit për të kuptuar si lidhen me grupin. Nuk flas vetëm për Manajn por dhe për të tjerë.-Kjo është deklarata e De Biasit e bërë më 24 Tetor 2015. Në intervistën ekskluzive të dhënë për SuperSport Gianni de Biasi pohoi se miqësoret e Nëntorit do ti shërbejnë Kombëtares jo vetëm si mënyrë për tu përgatitur për finalet e Europianit 2016 në Francë. Ndeshjet ndërkombëtare do të shërbejnë edhe si provë për disa talentë, që janë në orbitën e kuqezinjve. Nisur nga sulmuesi i Interit, Rey Manaj, për të cilin drejtuesi i stolit e bëri thuajse fakt të kryer grumbullimin me Kombëtaren A. Një tjetër lojtar të cilit do ti jepet mundësia të integrohet në skuadër është Milot Rashica. 19-vjeçari i lindur në Vushtrri po shkëlqen në këtë sezon te Vitesse në Eredivise. Një titullar i padiskutuar në ekipin holandez, ku vetëm një javë më parë u përfshi edhe në formacionin ideal. Një prej elementëve që spikasin edhe në përfaqësuesen Shpresa të Shqipërisë. Tjetër lojtar që pritet ti bashkohet përfaqësueses është sulmuesi Albian Ajeti, vëllai i mbrojtësit kuqezi Arlind Ajeti. 18-vjeçari është pjesë e Baselit, ku shënoi edhe gjatë kësaj mesjave në Kupë. Pjesëtar i U-21 të Zvicrës ai ka marrë shtetësinë shqiptare dhe nuk e ka fshehur ëndrrën të luajë për Kombëtaren kuqezi. Një tjetër prurje e re mendohet të jetë sulmuesi i Grasshopper-it, Shani Tarashaj. 20-vjeçari nga prizreni ka luajtur në të gjitha përfaqësueset e moshave të Zvicrës, dhe ashtu si në rastin e Albian Ajetit, nevojitet një leje e veçantë nga FIFA që të aktivizohet me Shqipërinë. Debutimi i tij në Kombëtare rrezikon të shtyhet edhe nga fakti që është rekrutuar në ushtrinë zvicerane dhe sipas gjasave nuk do të jetë i disponueshëm për pesë muajt në vijim./superpsort/