28-vjeçari nga Vlora bëri të ditur se ka biseduar me drejtuesit e klubit “për rinovimin”. Sipas Memushajt, “mungon vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes së re”, pasi palët kanë arritur “një akord parimor”.
Në sezonin e tij të dytë te Pescara, mesfushori shtatshkurtër është shndërruar në një prej elementëve më të rëndësishëm të skuadrës abruceze.
Ledian Memushaj mban shiritin e kapitenit, ndërsa në këtë sezon ka realizuar 2 gola në pesë ndeshje të luajtura në Serinë B. Shqiptari mbetet në vëmendjen e disa klubeve elitare në Itali, megjithatë klubi nuk dëshiron të humbasë shërbimet e lojtarit, ashtu si edhe Memushaj që kërkon të realizojë mrekullinë.
Memushaj beson se pas kombëtares kuqezi, që u kualifikua në fazën finale të Europianit 2016, një mrekulli e ngjashme mund të ndodhë edhe me Pescarën, për tiu bashkuar elitës së futbollit përtej Adriatikut.
Bardhekaltërit janë një prej skuadrave pretendente për tu ngjitur në Serinë A, me kualifikim direkt apo nëpërmjet fazës “play off” të kampionatit./supersport/