Saturday, November 7, 2015

Sacchi: Futbolli shqiptar po rritet, Italia të ketë kujdes!


Arrigo Sacchi, lektor për trajnerët e ekipeve kombëtare. Strategu i madh i futbollit italian të viteve 90 shfrytëzoi vizitën surprizë në vendin tonë, për të mbledhur të gjithë bashkë në një tavolinë drejtuesit e stolave të ekipeve kombëtare të grupmoshave. I shoqëruar nga trajneri i Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi, 69-vjeçari që fitoi gjithçka me Milanin e epokës së artë, u ndal në një bisedë të gjatë me trajnerët shqiptarë ku nuk kurseu këshillat për mënyrën se si ata duhet të punojnë në mënyrë që ekipet e grupmoshave të rrisin sa më shumë nivelin e tyre. Njeriu që ndërtoi themelet e Milanit numëron 1 titull kampion, 2 Kupa Kampionesh, 2 kupoa interkontinentale dhe një finale botërori të humbur me Italinë në vitin 1994 bën një koment edhe për ecurinë pozitive të Kombëtares Shqiptare nën drejtimin e Gianni De Biasit.

“Është hera e parë që kualifikohet në një kompeticion të tillë një Kombëtare që gjithmonë është konsideruar si inferiore. Shqipëria, De Biasi dhe lojtarët kanë bërë një kryevepër. Ata kanë hyrë në historinë e futbollit”.

I pyetur nga Sport News për lojtarët shqiptarë që aktivizohen në futbollin italian, ai nuk kursen elozhet.

“Prej shumë dekadash nuk kanë luajtur lojtarë shqiptarë në Itali por me përmirësimet e kohëve të fundit tani ka disa që po bëjnë mirë. Nuk duhet të harrojmë edhe një drejtues të zotin si Tare. Shqipëria po prodhon futboll dhe është një vend që kërkon të vihet në dukje”.

Pasi këshillon kombëtaren që ta luajë europianin pa presion dhe të japë maksimumin pa vendosur objektiva, Sacchi ndalet te shorti i eliminatoreve të botërorit 2018 ku Shqipëria do të sfidojë edhe Italinë.

“Shpresoj që të shkojë mirë për Italinë por nuk do të jetë e lehtë sepse Shqipëria është një realitet që po rritet dhe kur të luajnë me Italinë do të japin të gjithë 101 %”.

Cilin lojtar shqiptar shikon 69-vjeçari në Milanin e tij në të ardhmen? Sacchi zgjedh të përgjigjet me një batutë.

“Nuk mund të them një emër, ndoshta më të mirin”.

Por a e shikon Sacchi, De Biasin në stolin e Italisë pas eksperiencës së tij me Kombëtaren Shqiptare?

“Nuk mund të them asgjë por di të them që De Biasi është një trajner i shkëlqyer dhe një njeri serioz. Ai është një njeri që kërkon gjithmonë të përmirësohet dhe mendoj se është i aftë për çdo pankinë”./supersport/